Secondary Adv

Korridori VIII, Elbasan-Lekaj dhe tuneli i Hotolishtit, buxheti 2027 financon 4 faza të reja

Projektbuxheti 2027 parashikon 5.52 miliardë lekë për Korridorin VIII, përfshirë katër faza të reja ndërtimi.

Ndërtimi i Korridorit VIII do të vijojë me financimin e fazave të reja gjatë vitit 2027, duke e shtrirë më tej investimin në drejtim të Peqinit dhe Qafë-Thanës. Sipas listës së shpenzimeve të projektbuxhetit 2027, për këtë korridor parashikohen rreth 5.52 miliardë lekë, duke e renditur ndër projektet me financimin më të lartë në listën e investimeve rrugore.


Krahas fondeve për kontratat që janë aktualisht në zbatim, gjatë vitit të ardhshëm parashikohet nisja e financimit për katër faza të reja të Korridorit VIII. Tri prej tyre i përkasin segmentit nga Ura e Grykshit drejt Peqinit, ndërsa faza e katërt përfshin drejtimin Elbasan–Qafë-Thanë, ku është planifikuar edhe ndërtimi i tunelit të Hotolishtit.


Dy miliardë lekë për tri fazat e reja nga Ura e Grykshit në Peqin

Në aksin Elbasan–Lekaj, projektbuxheti i vitit 2027 parashikon nisjen e financimit për tri faza të reja ndërtimi, të cilat shtrihen nga Ura e Grykshit deri në Peqin. Për fazën e parë janë planifikuar 800 milionë lekë, ndërsa për secilën nga dy fazat e tjera janë parashikuar nga 600 milionë lekë.


Në total, këto tri kontrata do të financohen me 2 miliardë lekë gjatë vitit 2027, ndërsa vlera e përgjithshme e nevojshme për përfundimin e tyre arrin në 10 miliardë lekë. Investimet do të vijojnë ndërtimin e aksit të ri rrugor që lidh Elbasanin me drejtimin e Rrogozhinës dhe Korridorin Blu.


Në programin buxhetor janë përfshirë edhe dy faza të tjera, që vijojnë nga Peqini drejt Lekajt. Megjithatë, për këto segmente nuk parashikohen fonde gjatë viteve 2027 dhe 2028. Financimi është planifikuar të nisë në vitin 2029, me nga 600 milionë lekë për secilën fazë, ndërsa vlera totale e nevojshme për përfundimin e tyre është 6 miliardë lekë.


Aksi Elbasan–Lekaj, 40.7 kilometra rrugë e re drejt Korridorit Blu

Investimet janë pjesë e aksit të ri Elbasan–Rrogozhinë, me gjatësi të përgjithshme 40.7 kilometra. Rruga nis pranë ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe përfundon në Lekaj, ku lidhet me autostradën ekzistuese të Korridorit Blu.


Aktualisht, punimet janë përqendruar në gjashtë fazat e para të këtij aksi, të cilat mbulojnë rreth 20 kilometra të gjatësisë së përgjithshme. Financimi i fazave të reja nga Ura e Grykshit drejt Peqinit synon të zgjerojë më tej segmentet në ndërtim, ndërsa vijimi nga Peqini në Lekaj është planifikuar të financohet në një fazë të mëvonshme.


Një miliard lekë për fazën e nëntë Elbasan–Qafë-Thanë dhe tunelin e Hotolishtit

Në drejtimin Elbasan–Qafë-Thanë, projektbuxheti 2027 parashikon nisjen e financimit të fazës së nëntë të ndërtimit, me një fond prej 1 miliard lekësh gjatë vitit të ardhshëm. Vlera e përgjithshme e kësaj faze është planifikuar në 5 miliardë lekë, ndërsa pagesat për realizimin e saj do të vijojnë edhe pas vitit 2029.


Sipas informacioneve të bëra publike më herët, kjo fazë përfshin tunelin e Hotolishtit, një nga ndërhyrjet e planifikuara në drejtimin lindor të Korridorit VIII.


Në këtë aks janë hapur tashmë për qarkullim 7.5 kilometrat e parë, nga dalja e Labinot-Fushës deri pas fshatit Mirakë. Segmenti i përfunduar është ndërtuar me dy korsi në secilin drejtim, ndërsa financimi i fazave të tjera synon vijimin e rrugës drejt Qafë-Thanës.


Financim edhe për lidhjen Tiranë–Elbasan me Korridorin VIII

Projektbuxheti i vitit 2027 siguron financim edhe për dy kontratat që janë aktualisht në zbatim për ndërtimin e rrugës lidhëse ndërmjet aksit Tiranë–Elbasan dhe Korridorit VIII.


Në listën e investimeve është përfshirë gjithashtu një fazë e tretë e kësaj lidhjeje, por financimi i saj parashikohet të nisë në vitin 2028. Ky segment është pjesë e bypass-it të Elbasanit, i cili do të lidhë drejtimin Elbasan–Qafë-Thanë me aksin Elbasan–Lekaj.


Me financimin e planifikuar prej rreth 5.52 miliardë lekësh për vitin 2027, Korridori VIII mbetet ndër investimet kryesore të infrastrukturës rrugore në projektbuxhet. Fondet do të mbështesin vijimin e kontratave ekzistuese, nisjen e tri fazave të reja nga Ura e Grykshit drejt Peqinit dhe fazën e nëntë Elbasan–Qafë-Thanë, që përfshin tunelin e Hotolishtit.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat